Kryeministri Hristijan Mickoski në konferencë për media u pyet lidhur me pretendimet e BDI-së, për skandal korruptiv të shefit të kabinetit të zv. kryeministrit Izet Mexhiti.
Mickoski tha se ka besim në punën e Izet Mexhitit, ndërsa kërkoi nga BDI që nëse kanë prova t’i dorëzojnë ato.
Kryeministri gjithashtu tha se ka një bashkëpunim të ngushtë dhe të drejtpërdrejt me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mjedisit Jetësor.
“Absolutisht të gjithë ata që kanë çfarëdo prove për atë që pretendon BDI-ja, i ftoj të më kontaktojnë, numrin tim e dinë të gjithë. Sot, nesër, le të vijnë, nëse duhet, nëse duhet do të lë ndonjë takim për t’i parë ato prova dhe për t’i dorëzuar tek institucionet përkatëse. Përndryshe, më duhet ta paralajmëroj BDI-në se po vazhdojnë të hedhin pluhur dhe të merren me mjegull, një mjegull e mbushur me fjalën korrupsion, sepse kjo ishte emri i tyre i dytë në të kaluarën, kur atributi kryesor ishte Qendra Tregtare Soravia në Shkup, makinat Rolls-Royce të dasmorëve, hapësirat afariste të familjes së ish-nënkryetarit dhe shefit të kabinetit të Ahmeti, e kështu me radhë” theksoi Mickoski në konferencën e sotme për shtyp.