Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel është takuar sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, e ku temë diskutimi ishte situata në veri të Kosovës.
Michel ka theksuar se në takimin me Edi Ramën u theksua se nevoja e “shtensionimit të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës për të mirën e mbarë Ballkanit Perëndimor”.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe zbatimi i marrëveshjeve duhet të vazhdojë me shpejtësi. Pres që Këshilli Evropian të dërgojë një mesazh të qartë këtë javë”, ka shkruar Michel në “Twitter”.
E për këtë takim ka shkruar edhe kryeministri shqiptar, i cili ka thënë se shtensionimi i situatës në veri të Kosovës është rruga e duhur për t’iu rikthyer dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, teksa e ka vlerësuar lajm të mirë lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia javë më parë.
“Me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar! Domosdoshmëria e shtensionimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, ka shkruar Rama në “Twitter”.
With @ediramaal stressed that immediate deescalation of the situation in the north of Kosovo is needed for the benefit of entire #WesternBalkans
EU-facilitated Dialogue and implementation of agreements need to swiftly continue.
I expect #EUCO to send a clear message this week. pic.twitter.com/vXYwl2zSLB
— Charles Michel (@CharlesMichel) June 26, 2023