Ylli i Crystal Palace, Michael Olise, raportohet se ka bërë zgjedhjen e tij mes interesimit të Manchester United dhe Chelsea, teksa 22-vjeçari po përgatitet për hapin e radhës në karrierë.
Sulmuesi anësor ka qenë një ndër lojtarët më të spikatur në “Selhurst Park”, që prej transferimit nga Reading në 2021, por gjatë kohëve të fundit ka pasur thashetheme konstante se ai do largohet nga klubi.
Olise ka startuar vetëm shtatë herë në Ligën Premier këtë sezon për shkak të problemeve me lëndime, por ai ka arritur të shënojë pesë gola dhe të dhurojë një asistim.
Chelsea ishte shumë afër transferimit të Olise këtë verë pasi Todd Boehly aktivoi klauzolën “komplekse” të lirimit prej 35 milionë eurosh.
Sidoqoftë, Olise vendosi të nënshkruajë një kontratë të re me Crystal Palace, vendim ky që e la ekipin e Mauricio Pochettinos në një situatë tejet të vështirë.
Football London ka raportuar se reprezentuesi i Francës U21 favorizon një kalim në “Old Trafford”, përkundër faktit që Olise ka qenë pjesë e akademisë së Chelseat deri në moshën 14-vjeçare.
Arsyeja e këtij vendimi thuhet të jetë mbi faktin se 22-vjeçari e ka përkrahur Unitedin si fëmijë, ani pse ai gjithashtu ka kaluar kohë edhe në akademinë e Manchester Cityt, para kalimit te Readingu./Telegrafi/