Ylli i famshëm, Michael. J. Fox, bëri një paraqitje surprizë në ceremoninë BAFTA.
Gjegjësisht, aktori rrallëherë shfaqet në publik pasi që u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit, por megjithatë vendosi të jetë pjesë e ceremonisë për çmimet prestigjioze të filmit.
Ai erdhi në ngjarje me bashkëshorten e tij, Tracy Pollan.
Me atë rast ai doli në skenë për të dorëzuar çmimin për ‘filmin më të mirë’, i cili përfundimisht shkoi për filmin “Oppenheimer”.
Megjithatë, pamja e tij i gëzoi publikun dhe ata e shpërblyen me duartrokitje në Royal Festival Hall në Londër.
Duke e prezantuar në skenë, prezantuesi i BAFTA-s, David Tennant e përshkroi atë si një legjendë të vërtetë të filmit.
Disa fansa thanë në rrjetet sociale se filluan të qanin kur panë 62-vjeçarin të dorëzonte çmimin.
Meqë ra fjala, Michael J. Fox u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit në vitin 1991, kur ai ishte vetëm 29 vjeç.
Për vite me radhë, ai e fshehu diagnozën e tij nga publiku, sepse kishte frikë se njerëzit mund ta tallnin për shkak të gjendjes së tij mjekësore. /Telegrafi/