Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Podujevës, Agim Veliu kanë nënshkruar memorandum të mirëkuptimit për financimin e ndërtimit të rrugëve në komunën e Podujevës.
Kjo ministri do të financojë në ndërtimin e rrugëve Shajkovc-Xehrore, në vlerë prej 300 mijë euro dhe Pakashticë-Qelagë, në vlerë prej 720 mijë euro, transmeton lajmi.net
“Me këtë Memorandum, MI-ja obligohet të sigurojë mjetet financiare për realizimin e projekteve, ndërsa, Komuna e Podujevës obligohet të sigurojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve për operatorët ekonomikë, të kryejë procedurat e tenderimit të këtyre projekteve, të caktojë komisionin e vlerësimit, projekt-menaxherin, si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve, në të cilin do të marrë pjesë një anëtar i MI-së”, thuhet në njoftimin për media Ministria e Infrastrukturës.
Kurse sipas këtij memorandumi, komuna obligohet që të sigurojë kushtet që projekti të realizohet pa pengesa brenda afatit të caktuar.
Po ashtu, Komuna është e obliguar të njoftojë MI-në për rrjedhat e realizimit të projektit, të kryejë çdo lloj shpronësimi të nevojshëm për zbatimin e këtyre projekteve, përfshirë procedurat e kompensimit në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe Ministrinë e Financave dhe të hartojë projektin për çdo investim infrastrukturor, i cili kryhet sipas këtij Memorandumi. /Telegrafi/