Telegrafi

MF: Maqedonia në mesin e dhjetë vendeve me borxh më të vogël në Evropë

Ministria e Financave në kumtesën e sotme lidhur me konferencën për shtyp të Kire Naumov nga LSDM, thekson se Maqedonia mbetet në mesin e dhjetë vendeve me më pak borxh në Evropë, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Maqedonia është vend me borxh mesatar dhe nëse llogariten mjetet financiare nga euro obligacioni, në pajtim me të dhënat e Eurostat Maqedoni është në mesin e dhjetë vendeve me borxh më të vogël në Evropë me borxh publik prej nën 50 për qind të bruto prodhimit vendor”, thuhet në kumtesë.

Procedura për emetimin e euro obligacionit, siç theksojnë nga Ministria e Financave, është në pajtim me rregullat ligjore dhe është harmonizuar me Ministrinë e Drejtësisë, përfaqësuesit juridik në Qeverinë e RM dhe përfaqësuesit juridik të konsorciumit të bankave përmes së cilave u emetua euro obligacioni

“Në prospektin për emetimin e euro obligacionit dhe në vendimin e Qeverisë, që janë dokumente zyrtare, qëndron se mjetet nga ky  euro obligacion do të shfrytëzohen për nevojat e buxhetit në vitin 2016 dhe 2017 dhe pagesë të borxheve”, theksohet në kumtesë.

Edhe krahas të gjitha obstruksioneve nga opozita, siç theksohet në kumtesë, investuesit kanë shfaqur besim në politikat ekonomike të Qeverisë.

Nga Ministria e Financave theksojnë se euro obligacioni do të sigurojë stabilitet makroekonomik në kushte politike turbulente./Telegrafi/