Gjilani ka marrë edhe barazimin e dytë radhazi këtë edicion në elitën e futbollit kosovar.
Nënkampioni i Kosovës ka luajtur pa gola në udhëtim te Drenica, në një ndeshje që ishin më të mirë në fushë.
Kryetrajneri i kësaj skuadre, Gentjan Mezani, pas barazimit në Skenderaj qan mungesat dhe mos konkretizimin e rasteve.
“Në katër ndeshje na është shfaqur problemi me konkretizimin e rasteve. Na mungon njeriu gol, ose personi që mund ta shtyjë topin në rrjetë. Ne duhet të përmirësohemi në këtë drejtim, sepse e patë edhe sot nuk mjaftoi dominimi i ndeshjes”.
“Kemi lënë shumë pikë prapa dhe në ndeshjet e radhës duhet të marrim masat. Jemi të kushtëzuar të improvizojmë, pasi që kemi këta futbollistë dhe presim të na rikthehen edhe futbollistët e tjerë nga lëndimet. Ne kemi një objektiv këtë edicion dhe nuk guxojmë të mbetemi prapa”, deklaroi Mezani fillimisht për “Art Sport”.
Më pas tekniku i gjilanasve u ndal të flas edhe për lëndimet e shumta të ‘kuqebardhëve’, derisa thekson se orari i ngjeshur i ndeshjeve ka bërë që skuadra e tij të jetë në numër të limituar të futbollistëve.
“Lëndimet po vijnë nga lodhja e madhe. Kemi pasur disa dëmtime dhe kjo na ka penalizuar. Shpresojmë që pas pushimit të na rikthehen disa nga titullarët”, përfundoi Mezani. /Telegrafi/