Telegrafi

Mezani merr përgjegjësinë për humbjen, ka kritika edhe për futbollistët

Gjilani ka pësuar një tjetër humbje dhe tani ka tetë ndeshje pa fitore në Superligën e Kosovës.

Përkundër epërsisë së hershme, gjilanasit në fund u mposhtën 2-3 nga Malisheva falë një paraqitje të shkëlqyer nga Drilon Hazrollaj që realizoi het-trik.

Mezani ka pasur ankesa në drejtim të futbollistëve të tij, duke thënë se ndeshja përfundon atëherë kur gjyqtari i bie bilbilit dhe jo vetëm pas golit të epërsisë.

Gjithsesi trajneri vlonjat ka marrë përgjegjësinë për humbjen e pësuar.

“Shënuam dhe skuadra mendoi se e fitoi ndeshjen. Kundërshtari pas golit që shënuam bëri më mirë se ne. Skuadra nuk u përgjigj siç duhej pas shënimit të golit, duhej të vazhdonte me të njëjtin ritëm”.

“Në pjesën e dytë u futëm për të fituar. Kemi shënuar dhe kemi pasur raste. Por, pësuam gol në fund dhe u penalizuam. Kjo skuadër akoma nuk e ka kuptuar se loja përfundon kur bie bilbili i gjyqtarit, atëherë ulet përqendrimi”.

“Një arsye për këtë humbje janë edhe mungesat që kemi pasur. Kjo nuk është për t’u shfajësuar. Duhej ta fitonim këtë ndeshje sidomos pas dështimit të Feronikelit. Përgjegjësinë e marr unë për këtë. Nuk bëmë aq sa duhet për të fituar”, deklaroi Mezani për “ArtMotion”. /Telegrafi/