Telegrafi

Mezani i lumtur me fitoren e Gjilanit përballë Arbërisë

Genjtan Mezani, trajner i SC Gjilanit

Gentjan Mezani është shprehur shumë i lumtur me fitoren e Gjilanit me rezultat 3-1 kundër Arbërisë.

Gjilanasit fituan në shtëpi me rezultat bindës në kuadër të javës së pestë në Superligën e Kosovës.

Mezani ka thënë pas ndeshjes se kjo fitore duhet shijuar, shkaku që në këtë edicion e kanë pasur të vështirë të gjenin rrugën deri te goli.

Lexo po ashtu Gjilani fiton me rezultat bindës ndaj Arbërisë

“Duhet t’i kënaqemi kësaj fitore sepse kemi arritur të gjejmë rrugën drejt golit, një problem i cili na është shfaqur këtë edicion”, ka thënë Mezani për Art Sport.

“Mirëpo, vazhdon të mbetet shqetësuese shpërdorimi i rasteve të shumta dhe shpenzimi i energjisë para portës. Kundërshtari na vuri në vështirësi, pasi që ka një skuadër cilësore, ndaj edhe duhet t’i gëzohemi kësaj fitore ndaj një kundërshtari si Arbëria, pasi që na shton moralin dhe besimin“.

“Është e natyrshme se kur të akumulohet nervozizmi edhe shpërthen. Sot ndoshta u shfaq më tepër, mirëpo e rëndësishme ishte që fituam ndeshjen dhe për këtë meritën e kanë lojtarët, të cilët treguan karakter për ta rikthyer rezultatin“, ka përfunduar Mezani.

Pas javës së pestë, Gjilani është në vendin e tretë me tetë pikë, aq sa ka edhe Arbëria në të dytin. /Telegrafi/