Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani është deklaruar pas barazimit pa gola përballë Dritës në kuadër të javës së gjashtë në Superligën e Kosovës.
Derbi i Anamoravës kishte disa shanse të mira për gol, mirëpo asnjëra nga skuadrat nuk i shfrytëzoi ato.
Mezani ka thënë pas ndeshjes për Art Sport se ishin më të mirë se rivali lokal, sidomos në pjesën e dytë.
“E nisëm ndeshjen mirë, por pastaj u tërhoqëm sepse Drita na vuri në vështirësi”, ka thënë trajneri i Gjilanit.
“Ne e dominuam pjesën e dytë. E kemi bërë diferencën me disa aksione. Reagimi i skuadrës në pjesën e dytë ishte shumë i mirë dhe kjo është e rëndësishme për ne. Është një pikë e vlefshme”.
“Derbi luhet gjithmonë për t’u fituar, dy ekipet duan fitoren. Ishim të përgatitur për këtë ndeshje me lojtarët që kanë eksperiencë në derbi”, ka përfunduar Mezani. /Telegrafi/