Site icon Telegrafi

Metsola: Mirëpresim përpjekjet e Kosovës për të qetësuar tensionet në veri

Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola ka theksuar sot nevojën e de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës.

Ajo ka thënë se mirëpret përpjekjet e institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin masa për të qetësuar situatën në veri dhe për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë.

Këto komente Metsola i ka bërë para adresimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Parlamentin Evropian.

“Jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe pasojat për ngjarjet e fundit në vendin tuaj dhe që mund të ketë për stabilitetin e rajonit, si dhe nevojës së vazhdueshme të BE-së që të vazhdoj të theksojë dobitë e de-eskalimit të krizave të tilla. Rrugëtimi i Kosovës vazhdon dhe kjo shtëpi i mirëpret përpjekjet e vendit tuaj për tu ballafaquar me sfidat dhe nevojën për të ndërmarrë hapa për të qetësuar tensionet dhe bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtar”, ka thënë ajo.

Kryetarja e Parlamentit Evropian ka shprehur përkrahjen për rrugën integruese të Kosovës në BE.

“Kjo shtëpi ka qëndruar përkrah jush kur ka qenë e pamundur dhe tashmë duhet të theksojmë sa larg ka shkuar Kosova. Liberalizimi i vizave ka qenë i mundshëm, por tani mund të jemi krenar që më 1 janar të vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës të kenë edhe këtë liri. Demokracia, liria e shprehjes dhe sundimi i së drejtës janë vlera fondamentale që kjo shtëpi e parlamentit qëndron fuqimisht”, ka thënë ajo. /Kp/Telegrafi/ 

Exit mobile version