Site icon Telegrafi

Metodologjia e re e BE-së pritet ta lehtësojë rrugën drejt negociatave

Komisioni Evropian dje e publikoi revizionin e shumëpritur të metodologjisë së procesit inkuadrues, kjo ishte kërkesa kryesore e Parisit, krahas reformave vendore të vendeve, për dritë të gjelbër në samitin e BE-së në mars. Mbetet të shihet nëse të gjitha anëtaret e BE-së do të jenë të kënaqura nga propozimi i KE-së dhe nëse do të arrijnë pajtueshmëri për hapje të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Eurokomisari për zgjerim, Oliver Varhei, dje i prezantoi ndryshimet kryesore që ua ofron vendeve anëtare dhe vendeve kandidate.

Ai i konfirmoi katër parimet mbi të cilat do të themelohet metodologjia e re nëse miratohet nga ana e vendeve anëtare: kredibilitet, menaxhim më të madh politik me procesin, largpamësi ose kushtëzim dhe dinamizëm.

“Duam ta kthejmë besueshmërinë në perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor, prioritet i lartë është që të kemi stabilitet, paqe dhe prosperitet në rajon”, u shpreh eurokomisari Varhei.

Me metodologjinë e re që e ofron Komisioni Evropian, vendet anëtare do të kenë rol më të madh në vlerësimin e vendeve të cilat negociojnë. Negociatat do të udhëhiqen në mënyrë më dinamike nëpërmjet grupimeve (grupe të kapitujve) të cilat do të hapen varësisht nga vlerësimi i progresit të vendit kandidat, por mbetët parimi sipas të cilit kapitujt janë të lidhura me mbizotërimin e ligjit dhe drejtësia është themeli i të gjithë procesit. Këto kapituj, si dhe deri më tani, do të hapen të parat dhe do të mbyllen të fundit. Komisioni Evropian konsideron se me grupime, vendet do të mund më shpejt të kenë progres derisa për ketë tregojnë aftësi dhe gatishmëri.

Përforcohet edhe mundësia për pezullimin e negociatave në rast të shkeljes së parimeve themelore demokratike, ndërsa ofrohet qasje më e madhe në fondet e BE-së. Dokumenti thekson rëndësinë e përmbushjes së premtimeve të dhëna nga ana e shteteve anëtare.

Metodologjia e re nuk do të vlejë për Serbinë dhe Malin e Zi, përveç nëse ato vetë shprehin dëshirë t’i bashkangjiten procesit të ri, për të cilin KE-ja shpreson se do të mundësojë përparim të shpejtë drejt anëtarësimit të barabartë falë klasterëve.

Komisioni Evropian insiston në atë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të procesit, por për revizion të ri me qëllim që ai të bëhet më dinamik dhe më efikas. Revizioni i fundit i këtij procesi daton që nga viti 2003.

Tre partitë kryesore politike në Parlamentin Evropian e përshëndetën metodologjinë e reviduar të KE-së për procesin inkuadrues dhe e mbështesin perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Etapa e ardhshme tani është publikimi i raporteve për përparimin reformues në Maqedoni të Veriut dhe në Shqipëri, për të cilin ende nuk është konfirmuar datë por pritet në javët në vijim, pas çka vendet anëtare do të mund të fillojnë të bisedojnë dhe të harmonizohen për hapjen e negociatave me këto dy vende.

Exit mobile version