Ndryshimet klimatike ndikojnë në rritjen e ndotjes dhe në rritjen e temperaturave
Sa herë ulen temperaturat e kuptojmë edhe më shumë se ndotja e ajrit ka lidhshmëri edhe me kushtet e motit. Këtë fakt e mbështet meteorologu Mendim Rugova i cili është bërë pjesë e fushatës “Le të flasim për ajrin”.
Rugova thotë se faktor kyç në rritjen e ndotjes së ajrit është edhe faktori meteorologjik dhe patjetër që ndërlidhet moti me cilësinë e ajrit, sidomos gjatë periudhës dimërore ku po ndodh ndotja më e madhe.
“Faktori i motit është një ndër faktorët kryesor që ndoshta ndikon në ndotje ngase në këtë periudhë të dimrit dhe amvisëritë përdorin më shumë lëndë djegëse për ngrohje pasi nuk ka alternativa të tjera”, thotë ai.
Faktor ndotës janë edhe veturat në qytet dhe kjo natyrisht vetëm sa ndikon në rritjen e kësaj ndotje. Një tjetër element që e forcon ndotjen është edhe paraqitja e fushave anticiklonike, fushat e presionit të lartë që vijnë përmbi rajonin tonë e që janë të shpeshta gjatë periudhës dimërore, këto e mbajnë të bllokuar ndotjen e ajrit përreth viseve të ulëta, thotë për BB Green Kosova meteorologu Mendim Rugova.
“Natyrisht në periudha kur ka ciklone më të shpeshta, kur është moti më dinamik mund të ketë përmirësime të ajrit. Zakonisht nga viti në vit po ndryshon. Vitin e kaluar kemi pasur një vit më dinamik, të reshura më të mëdha gjatë muajit janar ndotja ka qenë më e vogël”, thotë ai.
Ndër të tjera Rugova thotë se në stacionet në Prishtinë ditë me tejkalime kanë qenë me 4 dhe 5 janar dhe në dhjetor, gjithashtu. Ndërkaq këtë vit vetëm në muajin janar janë 12 ditë me tejkalime.
Ndërsa sa i përket ndotjes ndërkufitare apo rajonale dhe se si ndotet ajri, Rugova thotë se: “Atmosfera, gazi që mbështjell planetin tonë nuk njeh kufij politik dhe natyrisht masat ajrore gjatë rrugëtimit mund të marrin ndotës prej pjesëve tjera nga shtetet në rajon. Por edhe një tjetër ngjarje interesante janë pluhurat e shkretëtirës të cilat për shkak të afërsisë që i kemi, shkretëtira e Saharasë por edhe e Azisë qendrore mund të depërtojnë deri te vendi ynë ku e rrisin nivelin e ndotjes, dhe kjo zakonisht mundet të ndodhë gjatë stinës së Pranverës dhe Vjeshtës.
Sipas meteorologut Rugova edhe në vitin 2022 kanë ndodhur disa episode të depërtimit të pluhurit saharian dhe disa raste nga Azia Qendrore ku rritja e ndotjes ishte dyfish ndoshta më e lartë se nga ndotja që e kemi nga ndotësit lokal. Ai thotë se ndotja prej shkretëtirave në disa raste mundet të jetë më e lartë në ditët me tejkalime që ndodhin gjatë vitit, pra mund t’i rrisin ditët e ndotjes.
Me ndryshimet klimatike mund të jetë ndotja edhe më e madhe, ndërsa tashmë temperaturat janë në rritje e sipër në mbarë planetin e sidomos në Kosovë.
“Nga viti 2007 kemi një rritje të temperaturave që deri tani kanë arritur vlerat deri në 1.4 gradë Celsius, vlera më të larta nga vlerat mesatare. Kjo do të thotë se mund të jenë periudhat më të gjata të thatësirave në muajt më të ngrohtë gjatë verës”.
Sipas Rugovës, viti 2007 mori kthesë rritja e temperaturave në vendin tonë. Kishim edhe djegiet masive të pyjeve nëpër rajon dhe kjo ka ndikuar në rritjen e ndotësve. Në këto raste ndryshimet klimatike kanë mundur të paraqesin probleme, thatësira të zgjatura dhe djegiet e pyjeve dhe këto edhe më shumë rrisin ndotjen.
/Telegrafi/