Site icon Telegrafi

Meta: Ushtria e Kosovës, hap drejt forcimit të shtetit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se krijimi i Ushtrisë së Kosovës është një fazë e re e shtet ndërtimit të Kosovës.

“Krijimi i Ushtrisë së Kosovës do të thotë një fazë e re e shtet ndërtimit të Kosovës dhe një plotësim i kuadrit funksional të një shteti që është në gjendje të marrë përgjegjësi të plota. Kemi të bëjmë me një kalimi drejtë një cilësie të re të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes dhe kjo ka qenë një pritje e natyrshme për të kaluar në këtë fazë të re madje e shtyrë në kohë. Kjo po ashtu është një ngjarje kyçe në procesin e forcimit të shtetit të Kosovës”, tha Meta në një intervistë në RTK.

Ai po ashtu ka komentuar edhe vonesën e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke thënë se është i zhgënjyer për këtë çështje.

“Jam zhgënjyer për një zhvillim aspak të mirëpritur për arsye sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet teknike që i janë dhënë dhe është zgjatur më shumë se për Shqipërinë dhe shtetet e tjera. Është shumë vonë, por kjo është bërë për shkak të mos një arritje të konsensusi”, deklaroi Meta.

Ai po ashtu tha se duhet durim për të sepse çdo lloj reagimi negativ kontribuon në shtetet që se kanë njohur Kosovën.

Presidenti shqiptar theksoi se gjatë takimeve të bëra me zyrtarë të BE-së, ata janë shprehur të zhgënjyer për mos liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Shumë zyrtarë të BE–së janë të zhgënjyer për mos marrjen e një vendimi për liberalizim të vizave për Kosovën, mirëpo është problem politik dhe Evropa nuk është në momente më të mira sepse BE është në prag të zgjedhjeve të reja”, tha tutje ai.

Meta po ashtu ka komentuar edhe taksën e vendosur të Qeverisë së Kosovës për produktet serbe dhe boshnjake.

“Ky është një vendim i Qeverisë së Kosovës dhe besoj se autoritetet e Kosovës kanë dhënë shpjegimet e tyre pse është marrë një vendim i tillë, i cili për fat keq ka ndodhur pas sjelljes së Serbisë në Interpol”, tha ai.

Exit mobile version