Site icon Telegrafi

Meta uron Distria Krasniqin për medaljen e artë: Përgëzime ekipit që kurrë nuk zhgënjen

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar xhudisten kosovare Distria Krasniqi për medaljen e artë që e fitoi sot në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Meta përmes një postimi në Facebook, uroi po ashtu trajnerin Driton Kuka dhe ekipin e Kosovës për sukseset e arritura.

“Urime Distria Krasniqit, më të mirës së botës! ?? Përgëzime Dritonit dhe mbarë ekipit, që kurrë nuk zhgënjen”, shkruan Meta.

Ndryshe, xhudistja jonë, Distria Krasniqi ka arritur ta bëjë krenare gjithë Kosovën duke fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Distria e ka nisur mbarë ditën e parë të “Tokio 2020”, pasi ka fituar tri ndeshjet e para dhe pastaj edhe finalen për ta fituar të artën olimpike.

Pejania ka fituar ndeshjen e parë ndaj me ‘ippon’ ndaj brazilianes, Gabriela Chibana, ndërsa në çerekfinale mposhti gjithashtu me ‘ippon’ Chen Hao Lin në kategorinë deri në 48 kilogramë.

Lexo po ashtu Kosova lë gjurmë në Japoni, Distria Krasniqi fiton medaljen e artë olimpike në “Tokio 2020”

Në gjysmëfinale, Distria u takua me kundërshtaren Urantsetseg Munkhbat, të cilën arriti ta mposht gjithashtu edhe pse me pak vështirësi.

Xhudistja jonë u tregua e fortë duke fituar me anë të ‘Ëaza-Arit’, duke siguruar finalen e madhe.

Në finale, Distria u takua me japonezen Funa Tonaki, të cilën sikurse edhe çdo kundërshtare tjetër e mposhti për ta bërë krenare gjithë Kosovën.

Me këtë triumf, xhudistja jonë fiton medaljen e artë në “Tokio 2020” në kategorinë deri në 48 kilogramë.

Kjo është medalje e dytë olimpike për shtetin e Kosovës, pasi e para i përket Majlinda Kelmendit, e cila fitoi të artën në kategorinë deri në 52 kilogramë në Rio de Janiero të Brazilit në vitin 2016. /Telegrafi/

Exit mobile version