Telegrafi

Meta takon zëvendës ministrin shqiptar të Maqedonisë: Të bëjmë çdo përpjekje për të ndaluar shpopullimin e trevave shqiptare

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur sot në një takim zëvendës Ministrin e Kulturës të Maqedonisë së Veriut, Daim Luçi.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Meta ka bërë të ditur se në takim u fol për fenomenin e shpopullimit të trevave shqiptare.

“Ndamë të njëjtin qëndrim se duhet të bëjmë çdo përpjekje për të mos lejuar shpopullimin e dhembshëm të trevave shqiptare nga të rinjtë, që meritojnë të gjitha mundësitë dhe hapësirat për të ndërtuar të ardhmen e sigurt europiane në vendet e tyre”, u shpreh Meta.

“Në këtë kuadër i vlerësova si jetike nismat për forcimin e identitetit kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve, si dhe për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit midis dy vendeve tona në të gjitha fushat”, ka shtuar Presidenti.

“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në dekadat e fundit kanë qenë të përkushtuar për stabilitetin dhe garantë të integrimit euroatlantik të saj, ndaj respektimi i të gjitha lirive dhe të drejtave të tyre, sipas standardeve më të avancuara europiane është thelbësor”, ka theksuar Meta.

“Për thellimin e gjithanshëm të marrëdhënieve shumë të mira fqinjësore mes vendeve tona, ekziston një potencial i madh, për një të ardhme më të shkëlqyer”, ka thënë në fund të postimit Presidenti i Shqipërisë. /Telegrafi/