Telegrafi

Meta takon Berishën, bien dakord që të përfshihen në garën për kandidatët e zgjedhjeve lokale

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pas takimit me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se është arritur marrëveshja që kandidatë të PL-së të përfshihen në primaret e përbashkëta me PD-në për të garuar në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Në një komunikim me gazetarët, Meta tha se e rëndësishme është që kandidatët të respektojnë njeri-tjetrin.

“Kemi kërkuar që procesi i primareve të realizohet sa më shpejt. Kudo ku ne si Parti e Lirisë kemi kandidatë që premtojnë për komunitetin e tyre, do t’i përfshijmë në primare të përbashkëta me PD-në dhe me parti të tjera të opozitës. E rëndësishme është që kandidatët të respektojnë njëri-tjetrin. Kushdo që shfrytëzon primaret për të dëmtuar kandidatin tjetër dhe jo për të shpalosur vizionin e tij, të përjashtohet nga gara”, tha Meta.

“Nuk kam pasur asnjë diskutim për emrin që do të jetë në Tiranë, por i kam propozuar një emër zotit Berisha për kryetar të Parlamentit të Tiranës, të cilin e priti me shumë kënaqësi. Çdo të hënë do të ketë Këshill Bashkiak që do të dëgjojë qytetarët”, shtoi kreu i Partisë së Lirisë. /Telegrafi/