Site icon Telegrafi

Meta reagon nga burgu për integrimin në BE: Problemi i vetëm, kapja e shtetit dhe e drejtësisë nga mafia

Ilir Meta ka reaguar nga burgu për hajen e grup-kapitujve të Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Në një postim në Facebook, presidenti i PL-së akuzon Ramën se bllokoi për një dekadë integrimin europian të vendit, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit janë në një stad më të avancuar.

“Ekzaltimi fals i Kryeministrit Rama për grup-kapitujt, pasi e bllokoi integrimin europian të vendit për një dekadë është tregues i hipokrizisë dhe papërgjegjshmërisë të tij dhe bandës së “Rilindjes” për këtë proces që duhej të ishte përmbyllur prej kohësh. Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit më 2006, para Malit të Zi, Serbisë dhe vendeve të tjera, që e nënshkruan atë vite më pas. Ndërkohë ato i çelën negociatat më 2012 dhe 2014 dhe janë në një stad shumë më të avancuar edhe pse kishin problem me Gjykatat Ndërkombëtare dhe konflikte ndëretnike”.

Ndërkohë që progres raporti i BE-së vlerësonte SPAK-un, Meta thekson se problemi i vetëm i Shqipërisë është kapja e shtetit dhe e drejtësisë nga mafia.

“Ndërsa Shqipëria ka patur e ka vetëm një problem, kapjen e shtetit nga mafia dhe sidomos kapjen e drejtësisë, e cila nga një reformë me 140 vota, përfundoi me 69 vota dhe betime gjyqtarësh te noteri te Lana. Ndaj indekset e drejtësisë janë më zi se Vietnami komunist apo Bjellorusia e Lukashenkos. Ky zhvillim edhe pse shumë i vonuar është vetëm për arsye gjeopolitike dhe se s’mund të vazhdojë më shumë”.

Sipas tij, premtimi i Ramës se brenda tre vitesh do të mbyllen negociatat është si premtimi për shëndetësi fals apo për ujin e pijshëm para ardhjes në pushtet.

“Ndërsa premtimi solemn se brenda tre vitesh do mbyllen negociatat është fiks si premtimi i mbajtur para ardhjes në pushtet të “Rilindjes” për “shëndetësinë falas” apo premtimi se brenda një mandati do zgjidhej problemi i ujit të pijshëm në të gjithë vendin”.

Ai thekson se “beteja e Partisë së Lirisë dhe opozitës të vërtetë kundër kapjes së shtetit dhe rikthimit të llogaridhënies do të zhbllokojë edhe procesin e integrimit europian”.

Exit mobile version