Bashkimi Evropian po heton kompaninë mëmë të Facebook, Meta, për shkelje të mundshme të konkurrencës së lirë në treg që rrjedhin nga lidhja e ngushtë midis shërbimit të tij kryesor të rrjeteve sociale dhe platformës së saj të blerjeve në internet, Facebook Marketplace.
Për shkak të pozicionit të fuqishëm të Meta-s në rrjetet sociale, rregullatorët e konkurrencës në Evropë shqetësohen se ofrimi i njëkohshëm i të dy shërbimeve të kompanisë në një paketë të vetme mund ta lejoj Meta-n që t’i mposhtë rivalët e saj në tregun e reklamave të klasifikuara në internet, tha gjatë së hënës Komisioni Evropian.
Zyrtarët e BE-së pohojnë gjithashtu se aftësia e Metës për të përdorur të dhënat e mbledhura nga reklamat e shfaqura të blera nga faqet e internetit rivale të blerjeve në internet në platformën e saj mund t’i japë asaj njohuri të padrejta që mund të forcojnë më tej fuqinë e Facebook Marketplace, raporton CNN, transmeton Telegrafi.
Nga Komisioni Evropian bëjnë të ditur me një njoftim se Bashkimi Evropian i ka paraqitur me shkrim shqetësimet e saj tek Meta.
CNN raporton se kanë bërë kërkesë për koment në lidhje me rastin, por se Meta nuk është përgjigjur. Kompania tani e ka mundësinë për të iu përgjigjur hetimit.
Hetimi shënon problemin më të fundit në lidhje me shkeljet e konkurrencës së lirë të tregut për Meta-n, e cila tashmë po mbrohet ndaj dy padive të profilit të lartë për konkurrencën e lirë në treg, padi këto të bëra nga Komisioni Federal i Tregtisë. /Telegrafi/