Brazili dhe popullsia e tij prej 200 milionëshe nuk do t’i nënshtrohen disa prej mjeteve me AI të Meta-s, pasi kompania ka vendosur të ndalojë përdorimin e mjeteve të tilla gjeneruese atje.
Kjo është në përgjigje të kundërshtimit të qeverisë ndaj politikës së privatësisë së Meta-s në lidhje me të dhënat personale dhe AI.
Në qershor, kompania mbajti një ngjarje në Sao Paulo për të nisur programin e saj të parë të synimit të reklamave të drejtuara nga AI për bizneset në WhatsApp.
Me një popullsi që tejkalon 200 milionë, Brazili është një treg kyç për Meta-n. Për shembull, vendi është baza e dytë më e madhe e përdoruesve të WhatsApp, shërbimit popullor të mesazheve, pas Indisë.
Por, në fillim të këtij muaji, Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes së të Dhënave të Brazilit (ANPD) pezulloi politikën e re të privatësisë së Meta-s për përdorimin e të dhënave personale për të trajnuar sistemet gjeneruese me AI.
ANPD vendosi që Meta duhet të ndryshojë politikën e saj të privatësisë për të përjashtuar përpunimin e të dhënave personale, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Siç raportohet, ky vendim vjen pas pezullimit nga ANPD të politikës së re të privatësisë së Meta-s, të shpallur dy javë më parë. Pezullimi, i publikuar në gazetën zyrtare të Brazilit, ndalon përpunimin e të dhënave personale në të gjitha produktet e kompanisë.
ANPD paralajmëroi për një gjobë ditore prej afërsisht 8,836 dollarë duke përmendur “rrezikun e afërt të dëmtimit serioz dhe të pariparueshëm ose të vështirë për t’u riparuar ndaj të drejtave themelore të mbajtësve të prekur”.
Kompania teknologjike u shpreh e zhgënjyer për vendimin e ANPD-së, duke cilësuar se ai do të vonojë përfitimet e AI për brazilianët.
Bëhet e ditur se Meta-s i kërkohet të rishikojë politikën e saj të privatësisë dhe të konfirmojë zyrtarisht pezullimin e përpunimit të të dhënave personale. /Telegrafi/