Përderisa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është duke pushuar në rezidencën e Dhërmiut, kryetari i Kuvendit ka preferuar një hotel në Jalë për t’u freskuar në vapën e nxehtë të gushtit. Ndonëse marrëdhëniet me kryeministrin sipas Metës as janë ngrohur e as janë ftohur, gjatë ditëve të verës, që pas zgjedhjeve të 21 qershorit, ata nuk janë takuar asnjëherë me njëri- tjetrin.
Vila qeveritare në Dhërmi u rikonstruktua, sipas një njoftimi zyrtar, për të qenë gati si për kryeministrin ashtu edhe për kryetarin e Kuvendit për të pushuar gjatë muajit gusht. Por Ilir Meta mesa duket pëlqen më shumë Jalën, një vend tashmë emblematik për rininë lsi-ste, e cila organizon atje kampingjet verore.
Ilir Meta është fotografuar sot në mesditë ndërsa lahej bashkë me kryetarin e PDSH në Maqedoni, Menduh Thaçi. Ky i fundit tha se vinte për herë të parë në bregdetin e jugut dhe se po e shijonte detin e Jonit.
Thaçi njihet si një nga liderët shqiptarë që ka patur marrëdhënie problematike me partnerët ndërkombëtarë.
Pikërisht pozicionimi i kohëve të fundit i Edi Ramës ndaj Ilir Metës në raport me ndërkombëtarët, mendohet të jetë shkaku i ftohjes mes tyre dhe që i ka detyruar të rrinë larg edhe pse po lagen nga i njëjti det. /lapsi.al/Telegrafi/