Telegrafi

Meta i dorëzon Ahtisaarit “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë një vizite në Finlandë, i ka dorëzuar ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” të akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Ky titull i është akorduar Ahtisaarit me motivacionin “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm politik e diplomatik, si i Dërguar i Posaçëm i OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që shënoi nisjen e procesit të Pavarësisë së Kosovës e njohjen ndërkombëtare të saj, ndërtimin e institucioneve shtet-formuese dhe demokratike në vend, në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Ish-presidenti i Finlandës, Ahtisaari, falënderoi Kryetarin e Kuvendit për këtë çmim dhe shprehu mirënjohjen për vlerësimin që i ka bërë Shqipëria.

Ndryshe, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Finlandë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit sot në Helsinki nga ministri i Jashtëm i Finlandës, Timo Soini, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike mes Shqipërisë dhe Finlandës.

Ministri Soini u shpreh se Finlanda e mbështet Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian dhe theksoi se forcimi i sundimit të ligjit në të gjithë vendet e Ballkanit i shërben gjithë Evropës.