Mësuesja Julie Morris dhe partneri i saj janë dënuar me burgim për shkak të keqtrajtimit seksual të fëmijëve, pasi filmuan momentin derisa përdhunonin një vajzë, shkruan The Guardian.
Julie Morris që gjithashtu ishte shefe e sigurimit në një shkollë fillore në Wigan të Anglisë, është dënuar me 13 vite e katër muaj burgim, pasi që pranoi fajin për 18 vepra penale për keqtrajtim seksual të fëmijëve përfshirë edhe dy pikat për përdhunim, transmeton Telegrafi.
Të premten pranoi tri pika të aktakuzës – për fotografimin e fëmijëve në poza të papërshtatshme, për komunikim të nxehtë me fëmijë dhe posedim të fotografive të papërshtatshme të fëmijëve.
Për dyshen e dënuar, gjykatësi Andrew Mernary tha: “Po shohim raste të njëpasnjëshme dhe rrethanat që vështirë se dikush mund të besojë se mund të ndodhë. Kjo tregon se tmerri nga faktori njeri nuk paska fund”.
Në anën tjetër, David Morris është dënuar më 16 vite për 34 vepra të ndryshme, përfshirë shtatë për përdhunim të fëmijëve nën moshën 13-vjeçare, aktivitete seksuale me fëmijë, kryerje të aktiviteteve seksuale në prezencë të fëmijëve, komunikim të nxehtë me fëmijë, posedim dhe shpërndarje të fotografive të papërshtatshme të fëmijëve. /Telegrafi/