Site icon Telegrafi

Messit i bie vlera sa në vitin 2009, tani kushton 20 milionë më pak

Lionel Messi është futbollisti më i mirë në botë për vitin 2021, ndoshta edhe më i miri i të gjitha kohërave.

Por ylli argjentinas nuk është futbollisti me vlerën më të madhe, madje ai nuk është më i shtrenjti as te skuadra e tij aktuale Paris Saint Germain.

Mediumi i specializuar për vlerësimin e futbollistëve, Transfermarkt ka bërë vlerësimin e ri për elitën e futbollit francez Ligue 1, ku vlera e Messit ka rënë ndjeshëm.

33-vjeçari tani vlerësohet 60 milionë euro nga Transfermarkt pasi ka pas rënie prej 20 milionë eurove nga vera e këtij viti.

Menaxheri i zonës së Francës për Transfermarkt, Ronan Caroff ka treguar edhe arsyen e rënies së çmimit për Messin.

“Motivimi i zhvlerësimit prej 20 milionë eurosh për Messin është për shkak të moshës së tij”, ka thënë Caroff për Transfermarkt.

Kylian Mbape ka mbetur futbollisti më i vlefshëm në Ligue 1 edhe pse nuk ka pasur ndryshim në vlerën e tij dhe mbetet në çmimin prej 160 milionë euro.

Rënie ka pësuar edhe Neymar që nga 100 milionë tani vlerësohet 90 milionë euro.

Në vendin e tretë ndodhet kapiteni i PSG-së, Marquinhos me 75 milionë euro, derisa me 70 milionë mbetet Achraf Hakimi.

Lojtari më i shtrenjtë në Ligue 1 jashta klubit parisien është kanadezi i Lille, Jonathan David që ka një vlerë prej 50 milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version