Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, ka vazhduar marrëveshjen me sponsorin e veshjeve sportive Adidas.
Lajmin e ka konfirmuar vetë futbollisti me një status në “Facebook”.
Nuk është kontrata që donin tifozët e Barcelonës, ajo e shumëpritur e rinovimit me klubin blaugrana, por pesë herë fituesi i Topit të Artë pohon: “Jam i lumtur që do të vazhdojë të punojë me Adidasin edhe për shumë vite të tjerë pas këtij rinovimi”.
29-vjeçari, Messi, që gjatë gjithë karrierës ka luajtur vetëm me Barcelonën, është bërë legjendë në “Camp Nou”, por marrëveshja e tij përfundon në qershor 2018 dhe nëse Barça nuk rinovon deri në verën e ardhshme do të jetë e detyruar ta shesë lojtarin, për të mos e humbur me kosto zero.
Në këtë sezon, Lionel Messi ka shënuar 31 gola në 31 ndeshje zyrtare me fanellën e Barcelonës, nga 100 që ka shënuar gjithsej skuadra katalanase. Për më tepër ai ka dhënë edhe 12 asistime.
Janë të shumtë ata që kanë nisur ta konsiderojnë numrin 10 si më i madh i të gjitha kohërave, pasi ka shënuar 487 gola në 564 ndeshje.