Lionel Messi është sëmurë vetëm një ditë pasi e fitoi Topin e Artë për herë të shtatë në karrierë.
Të hënën mbrëma, sulmuesi i Paris Saint-Germainit ishte njeriu kryesor në ceremoninë e France Football në Theatre du Chatelet të Parisit, ku e mori trofeun më të rëndësishëm.
34-vjeçari la prapa të gjithë konkurrentët, në fund edhe sulmuesin e Bayern Munichut, Robert Lewandowski, për ta fituar çmimin prestigjioz individual.
🗣️🏆𝐋𝐞𝐨 𝐌𝐞𝐬𝐬𝐢 talks to #PSGtv in Paris after winning his 7️⃣th #BallonDor 👏❤️💙 pic.twitter.com/GDG5hf9qAN
— Paris Saint-Germain (@PSG_English) November 30, 2021
Mirëpo, ai është duke vuajtur nga simptomat e një gastroenteriti, një inflamacion i shpeshtë i lukthit dhe zorrëve.
Gastroenteriti është një gjendje shumë e shpeshtë që shkakton barkqitje dhe vjellje. Zakonisht shkaktohet nga infeksioni bakterial ose virusal. Gastroenteriti mund të jetë shumë i pakëndshëm, por zakonisht kalon vetë brenda javës dhe i sëmuri mund të kujdeset vet në shtëpi.
Te fëmijët më së shpeshti shkaktohet nga virusi i quajtur rotavirus, derisa te të rriturit e shkakton norovirusi (i njohur si infeksioni dimëror që shkakton vjellje) ose infeksioni bakterial ushqimor.
PSG e ka konfirmuar lajmin të martën që do të thotë se Messi është në dyshim për ndeshjen e Ligue 1 kundër Nice që zhvillohet të mërkurën mbrëma në Parc des Princes.
“Lionel Messi dhe Leandro Paredes nuk kanë marrë pjesë në stërvitjet e sotme për shkak të simptomave të gastroenteritit. Mëngjesin e nesërm do të bëhen kontrolle shtesë”, thuhet në njoftimin e klubit francez. /Telegrafi/