Telegrafi

Messi nuk është paraqitur në seancën gjyqësore

Gjyqi ndaj yllit të Barcelonës, Lionel Messi, për evazion fiskal ka nisur sot në Barcelonë, por pesë-herë lojtari më i mirë në botë, nuk ishte i pranishëm.

Messi dhe babai i tij, Jorge Horacio Messi, akuzohen për evazion fiskal për 4.2 milionë euro nga viti 2007 deri më 2009. Ata rrezikojnë burgim prej 22 muajsh nëse shpallen fajtorë.

Të dy kanë mohuar akuzat dhe kanë munguar në seancën e së martës, që zgjati më shumë se një orë. 28-vjeçari dhe babai i tij nuk janë të obliguar të marrin pjesë në secilën seancë, por duhet të deklarohen të enjten.

“Qëllimi i Lionel Messit ishte të merrte pjesë në dëgjimin plenar, por ai pësoi një lëndim”, ka thënë avokati i tij, Javier Sanchez-Vera, që prezantoi raportin mjekësor në gjykatë.

Argjentinasi dëmtoi shpinën në miqësoren e kombëtares së tij me Hondurasin të premten.