Lionel Messi ka folur me lëvdata për talentin e ri të Barcelonës, Ansu Fati, duke e etiketuar si lojtar fantastik, por mendon se ai duhet të përfshihet shkallë-shkallë në ekipin e parë të katalunasve.
16-vjeçari u bë sensacion në mediat sportive pas një fillimi mbresëlënës të sezonit duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar një asistim në katër ndeshje me Blaugranët, ashtu që i theu edhe disa rekorde.
Mirëpo, superylli i Barcës shpreson që presioni i madh dhe gjërat që shkruhen për të, të mos ndikojnë në zhvillimin e Fatit si lojtar.
“Vërtet më pëlqen dhe po përpiqem t’i ndihmoj dhe ta mbështes. Ai është një lojtar i mrekullueshëm dhe i ka gjërat e duhura për të pasur sukses”.
“Por, nëse e shikoj përmes syve të mi, do të doja që ta përfshinin dalëngadalë, njësoj si kanë bërë me mua kur ia kam nisur, duke i marrë gjërat qetë dhe me lehtësi, dhe pa bërë presion mbi të”, ka deklaruar Messi. /Telegrafi/