Site icon Telegrafi

Messi, legjenda e fundit që do ta lërë Barcelonën – një listë me super yje që u ndanë keq me katalunasit

Lionel Messi duket se do të largohet nga Barcelona. Këto mund të jenë ditët e fundit në Katalonjë për futbollistin më të madh të brezit të tij, ndoshta edhe në histori.

Edhe pse dalja e tij do të jetë një goditje e fortë për Blaugranat, ata kanë përcjell shumë yje, që u larguan nga klubi më parë.

Këtu mund t’i shohim disa prej tyre, që shpesh herë zunë edhe ballinat në mediat botërore.

Diego Maradona

Megjithëse ai koha e tij në Barcelonë nuk krahasohet me atë të Messit,  pasi qëndroi nga viti 1982 deri në vitin 1984, Maradona përcaktoi një epokë në Kataloni.

Ai u largua nga klubi pas mosmarrëveshjeve me bordin dhe përfundoi në Napoli, ku u kthye në legjendë dhe u bë lojtari më i mirë në botë.

Bernd Schuster

Mesfushori gjerman i mahniti tifozët e Barcelonës me lojën e tij, por momenti përcaktues i tij për këtë klub ishte gjatë finales së Kupës Evropiane të 1986.

Ai kishte për të gjuajtur penalltinë e parë të Barcelonës, por u zëvendësua në minutën e 85-të nga trajneri Terry Venables, ndërsa Schuster u largua nga fusha dhe u kthye në hotel. Presidenti Josep Luis Nunez ndërpreu kontratën e tij si rezultat i këtij gjesti.

Michael Laudrup

Laudrup nuk kishte marrëdhënie të mira me trajnerin Johan Cruyff, dhe danezi bëri lëvizje drejt Real Madridit.

Ai kaloi dy sezone atje dhe fitoi titullin e kampionatit në 1995.

Romario

Ai ishte një futbollist i mrekullueshëm dhe një nga sulmuesit më të mirë që ka pasur Barcelona.

Por si shumë nga lojtarët më të mirë të klubeve, qëndrimi i tij përfundoi keq pas një përplasjeje me Cruyff gjatë sezonit 1994-95.

Pasi fitoi Kupën e Botës në vitit 1994, ku braziliani donte më shumë kohë pushimi dhe nuk u paraqit në stërvitjet para sezonale. Ai u kthye vonë, por dëmi ishte bërë.

Ronaldo

Bobby Robson e kishte kërkuar sulmuesin brazilian në skuadrën e tij, dhe me 47 gola në 49 ndeshje në sezonin e tij të parë, trajneri anglez kishte rë drejtë.

Por Ronaldo nuk u ndie i vlerësuar në klub, dhe Inter e bleu atë për një shumë rekord të asaj kohe, 25 milionë eurove në vitin 1997.

Luis Figo

Asnjë tifoz i Barcelonës nuk mund ta harrojë largimin e Figos drejt Real Madridit.

Portugezit nuk i dha kontrata që dëshironte nga Blaugrana, dhe kjo bëri që ai të bëhej pjesë e projektit Galaktikë’ të Florentino Perez në Madrid. Figo kaloi për 61 milionë euro te Reali.

Ronaldinho

Braziliani ndezi Camp Nou gjatë kohës sa ishte te Barcelona – dhe madje mori edhe ovacion në Bernabeu.

Ishte Pep Guardiola, ai i cili e shiti atë te AC Milan për 25 milionë euro në vitin 2008.

Zlatan Ibrahimovic

Sulmuesi suedez arriti në Barcelonë për 78 milionë euro në vitin 2009, por u largua drejt AC Milan për vetëm 25 milionë euro sezonin më pas.

Prishja e marrëdhënies së tij me Guardiolan ishte arsyeja e largimit të tij, por ishte gjithashtu një kohë kur Messi filloi të luante gjithnjë e më shumë në pozicionin e sulmuesit qendror.

Neymar

Neymar emocionoi Camp Nou gjatë kohës së tij në Barcelonë, duke formuar tridentin vdekjeprurës ‘MSN’ me Messi dhe Luis Suarez.

Por pasuritë e Paris Saint-Germain ia thyen mendjen dhe lojtari kërkoi të dilte nga hija e Messit.

Që nga ajo kohë, Barcelona është përpjekur të blejë 28-vjeçarin në shumë raste, por pa sukses. /Telegrafi/

Exit mobile version