Një shtetas i Iranit, i njohur si “Messi iranian”, i ka përgënjeshtruar pohimet se ka fjetur me 23 femra duke e shfrytëzuar ngjashmërinë e tij me Lionel Messin.
Reza Parastesh ka reaguar ndaj raportimeve të gazetës spanjolle, Marca dhe atyre në rrjetet sociale, që thoshin se ai akuzohet se i ka mashtruar femrat me të cilat ka kryer marrëdhënie intime.
“Përshëndetje miq, një lajm i rrejshëm lidhur me mua po qarkullon në mediat sociale duke theksuar se unë kam fjetur me 23 femra, sepse ato mendonin që isha Lionel Messi. Ju lutem mos luani me reputacionin dhe kredibilitetin e njerëzve”.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për faktin se nëse vërtet ka ndodhur, dikush do të ishte ankuar dhe do të ndodhte hetimi im. Do të ishte një fatkeqësi edhe atë me përmasa ndërkombëtare. Po të ishin të vërteta këto lajme, unë do të kisha qenë në burg tashmë”.
“Mos e besoni, nuk është e vërtetë. Do të bëj gjithçka që ta luftoj këtë në mënyrë ligjore dhe jam i sigurt se emri im do të pastrohet”, ka shkruar 26-vjeçari në një postim në InstaStory.
“Lajmi po përhapet në vendet myslimane dhe ishte një fatkeqësi. Jam ngacmuar rëndë, sepse e gjitha bota u lëshua pas meje. Edhe familja ime më ka ngacmuar, por sulmi i njerëzve ishte më i rëndësishëm”, ka shtuar ai.
Falë ngjashmërisë me Messin, Parastesh numëron afro 700 mijë ndjekës në Instagram. /Telegrafi/