Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, e ka quajtur Lionel Messin ‘të jashtëzakonshëm’, pasi skuadra nga Camp Nou ka vendosur qëllimin e tyre që t’i fitojnë të gjithë titujt në sezonin 2017-18.
Gjigantët katalanas kanë gëzuar një sezon përgatitor produktiv para se të përgatiten për të hapur një epokë tjetër të re.
Valverde ka zëvendësuar Luis Enrique në krye, ndërsa shtimet në stafin e trajnerit janë bërë, nuk mund të themi edhe për futbollistë të ardhur pasi deri më tani është afruar vetëm Nelson Semedo, dhe fjalët për një largim të sulmuesit brazilian, Neymar, drejt Paris Saint-Germain po vazhdojnë.
Ai luajti në fitoren 3-2 në El Clasico ndaj Real Madridin në International Champions Cup të dielën para mëngjesit, por Barça gjithmonë frymëzim e ka yllin argjentinas, Messi.
Ashtu mendon edhe trajneri Valverde, i cili foli për fitoren e parë në një ‘El Clasico’ dhe yllin kryesor të skuadrës.
“Ishte e vështirë për shkak të nxehtësisë, filluam mirë, gjeneronim disa mundësi të mira. Në përgjithësi, ne bëmë mirë duke u përpjekur të dominojmë ndeshjen”, ka thënë fillimisht Valverde.
“Unë pres më të mirën nga Messi dhe të gjithë lojtarët, por ai është i jashtëzakonshëm dhe ne jemi duke synuar të fitojmë të gjitha titujt këtë sezon”, përfundoi trajneri spanjoll. /Telegrafi/