Telegrafi

Messi dhe Mbappe kanë të njëjtin numër golash: Kush do të jetë ‘Këpuca e Artë’ nëse situata mbetet kështu?

Kampionati Botëror në Katar po përfundon. Kanë mbetur vetëm edhe tre ndeshje – gjysmëfinalja mes Francës dhe Marokut, ndeshja e së shtunës për vendin e tretë dhe finalja e së dielës në të cilën Argjentina pret rivalin e saj.

Më pas do të ndahen çmimet individuale më prestigjioze – ‘Topi i Artë’ për lojtarin më të mirë të turneut, ‘Doreza e Artë’ për portierin më të mirë dhe ‘Këpuca e Artë’ për golashënuesin më të mirë të Kupës së Botës.

Kanë mbetur vetëm pak lojtarë në garën e vërtetë për golashënuesin më të mirë.

Kylian Mbappe dhe Lionel Messi kanë nga pesë gola dhe Mbappe ka avantazhin që ka edhe një ndeshje të mbetur.

Julian Alvarez ka shënuar katër gola dhe mund t’i kalojë, ashtu si Olivier Giroud që ka të njëjtën avantazh si Mbappe.

Megjithatë, çfarë do të vendosë fituesin e ‘Këpucës së Artë’ nëse, si shumë herë më parë, disa lojtarë kanë të njëjtin numër golash?

Kriteri i parë i FIFA-s është që çmimi t’i shkojë lojtarit me më shumë asistime. Këtu është më i miri Messi sepse ka tre, dhe Mbappe nuk është keq gjithashtu sepse ka dy.

Në rast se lojtarët janë të barabartë sipas këtij kriteri, çmimi do të merret nga lojtari që ka luajtur minutat (më pak). /Telegrafi/