Site icon Telegrafi

Mësohet shifra që shqiptarët kanë harxhuar në EURO 2016

Kampionati Evropian ka qenë i kushtueshëm për të gjithë ata që kanë udhëtuar në Francë për të ndjekur nga afër Kombëtaren Shqiptare. 

Burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit kanë zbuluar shifrën që shqiptarët kanë shpenzuar për ditët e Evropianit.

Shpenzimet e transportit për bileta avioni nga Tirana drejt Lensit, Marsejës dhe Lionit, së bashku me shpenzimet për biletat e stadiumit kanë kapur në total shifrën e 4.5 milionë eurove.

Kjo shifër është regjistruar zyrtarisht në FSHF, pas përllogaritjeve të bëra vetëm për transportin me avionë dhe biletat hyrëse në tre stadiumet ku Shqipëria luajti përballë Zvicrës, Francës dhe Rumanisë.

Nëse do të ishte e mundur të llogaritej se sa kanë shpenzuar shqiptarët për transportin me makina apo alternativa të tjera, akomodimin në hotel, ushqimin apo shpenzimet ekstra, totali do të rezultonte shumë herë më shumë se kaq.

Për herë të parë shqiptarët festuan dhe shpenzuan miliona euro për futbollin. E sigurt është se nëse do të marrim pjesë në “Rusi 2018” do të shpenzojmë shumë më tepër.

Exit mobile version