Telegrafi

Mësohet dieta e Messit, ja si u kthye në majë përsëri

Për një sportist, mënyra e të ushqyerit është një prej gjërave më të rëndësishme.

Ai që e shpjegon më mirë këtë aspekt është mjeku italian Giuliano Poser, i cili në një intervistë për El Mundo Deportivo zbuloi dietën e yllit të Barcelonës, Lionel Messi.

“Uji, vaji i mirë i ullirit, drithërat, frutat e freskëta dhe perimet bio janë disa nga produktet që ndihmojnë një sportist. Ai që dëmton më shumë është sheqeri. Sheqeri është armiku më i rrezikshëm për muskujt. Edhe miellërat e rafinuar janë një problem i madh, kjo sepse sot është e vështirë të gjesh drithëra që nuk janë bërë më parë me pesticide”, tha Poser.

Por jo vetëm kaq. Poser e ka këshilluar Messin edhe për një përdorim të reduktuar të kripës, për të cilën gjithsesi trupi dhe muskujt kanë nevojë.

Poser foli edhe për konsumin e mishit nga Messi, që është më i ulët nga sa ndodh zakonisht me popullsinë amerikanolatine.

Megjithatë, sipas Poser, vetëm dieta nuk mjafton për të zgjidhur problemet me shëndetin. Mjeku italian shtoi se është e nevojshme që të përdoren medikamente natyrale dhe pak kineziologji.

Sipas tij, ajo që ka më shumë rëndësi është përcaktimi i problemit për të vendosur më pas edhe mënyrën e kurimit.