Site icon Telegrafi

Mësimi online, ministrja e Bajrami: Kemi filluar xhirimin e orëve të mësimit, në dispozicion një kanal i RTK-së

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami thotë se po punohet për të filluar mësimin online.

Bajrami, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se dëmet në arsim si pasojë e coronavirusit do të jenë të pariparueshme.

Ajo thotë se shpresojnë në përmirësimin e kohës dhe uljen e rasteve të prekura me virus në mënyrë që të fillojë normalisht mësimi.

“Ne kemi dhënë datën 27 mars  si datë kur do të rifillojë mësimi por kjo nuk dihet”.

Ministrja e Arsimit thotë se po bëhen disa përgatitje për mësim online por sipas saj as kjo nuk do ta zëvendësojë mësimin e humbur.

“Po punojmë me një ekip të MASHT për mësimin online. Deri tash kemi pas në dispozicion një platformë e dizajnuar disa vite më parë, por nga viti 2017 ajo platformë nuk është përdorur më dhe aty nuk ka asnjë, pra platforma është boshe”.

Bajrami thotë se ka gatishmëri nga kompani private por asnjëra nga to nuk i ka materialet për të gjitha klasat.

Ajo thotë se për momentin janë duke i xhiruar materialet mësimore për t’u përgatitur për mësim online.

“Për momentin kemi në dispozicion një kanal të RTK-së por jemi duke punuar për një webfaqe të veçantë që materialet të jenë në disponim edhe kur nuk janë në transmetim në RTK”, tha ndwr tw tjera Hikmete Bajrami./Telegrafi/

Exit mobile version