Telegrafi

Mësimdhënësve u paguhet përvoja e punës me pagat e prillit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës ka njoftuar se drejtuesit e saj janë takuar me ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami, atë të Financave Avdullah Hoti dhe ministrin e Administratës Publike Mahir Jagcilar.

Sipas njoftimit të SBASHK-ut bëhet e ditur se nga ky takim ka rezultuar se 0.5 përqindëshi i përvojës së punës për mësimdhënësit do të implementohet me pagat e prillit.

Sipas SBASHK-ut kjo nënkupton se për momentin nuk ka arsye që të ketë ndonjë veprim sindikal. SBASHK konsideron se kjo është një arritje e angazhimit të përbashkët të SBASHK-ut, MASHT-it dhe Qeverisë së Kosovës.

SBASHK-u po ashtu kërkon mirëkuptim nga të punësuarit në arsimin e Kosovës sepse për arsye të numrit të madh të të punësuarve në këtë sektor dhe procedurës së procedimit të të dhënave, eventualisht, mund të vonohen për pak ditë listat dhe pagat.

Ndryshe muajve të fundit SBASHK-u ka organizuar greva duke bojkotuar mësimin për shkak të kërkesës që t’u paguhet përvoja e punës mësimdhënësve. /Telegrafi/