Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me tre vjet burgim të pandehurin B.V, mësimdhënës, për veprën penale ‘sulm seksual’.
Në njoftim bëhet e ditur se të pandehurit gjykata i ka shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej tre vite, të cilin dënim do ta vuaj menjëherë plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për të Mitur ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.V për shkak se që nga muaji shtator deri më 14.11.2018, në cilësinë e mësimdhënësit, i ka prekur me qëllime seksuale dhe duke shfrytëzuar moshën e tyre të ndjeshme, në mënyrë të vazhdueshme me veprime të pahijshme që bie ndesh me etikën e një pedagogu si mësimdhënës ashtu që i njëjti ka filluar ngacmimin seksual te nxënësit atë mënyrë që fillimisht me fjalë joshëse si: je e bukur, pse sot flokët i ke kap në këtë mënyrë etj., e më pas duke i prekur në pjesët të ndryshme të trupit, e të cilit i është besuar edukimi, kujdesi dhe mbikëqyrja”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime i pandehuri B.V ka kryer veprën penale sulm seksual, ndërsa në dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Te pandehurit i është shqiptuar dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të profesionit të mësimdhënësit në kohëzgjatje prej 5 viteve, i cili do të filloj pas vuajtjes së dënimit të shqiptuar me burg.
Në njoftim thuhet se të njëjtit pas shpalljes së dënimit i është ndërprerë arresti shtëpiak deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.
Palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.
Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/