Site icon Telegrafi

Mesfusha tërësisht ndryshe – kështu pritet të luajë Jurgen Klopp me Liverpoolin e tij në sezonin e ri

Liverpool njoftoi të enjten se deri në 11 lojtarë janë larguar nga klubi. Roberto Firmino, Naby Keita, James Milner dhe Alex Oxlade-Chamberlain janë emrat më të njohur të cilëve u skadoi kontrata.

Atyre iu bashkuan edhe shtatë lojtarë të tjerë nga akademia, të cilët nuk llogariten më. Portierit rezervë Adrian i është ofruar një kontratë e re, por ai ende po mendon nëse do ta nënshkruajë atë dhe e gjithë kjo është fillimi i një rinovimi të madh të skuadrës së Liverpoolit.

Roberto Firmino ka qenë një nga lojtarët më të mirë që kur Klopp mori drejtimin e skuadrës, por edhe ai pati probleme me lëndimet në fund të karrierës së tij në Liverpool. Naby Keita, i cili u ble në vitin 2018 nga Leipzig për 60 milionë euro, nuk arriti të imponohej plotësisht edhe pse bëri 129 paraqitje për ekipin e parë.

Keita gjithashtu kishte shumë probleme me lëndime, ashtu si Oxlade-Chamberlain i cili luajti 146 ndeshje për Liverpool.  James Milner ishte “ushtari universal” i Klopp në 332 paraqitje për Reds dhe largimi i tij i dha fund një epoke të madhe.

Klopp tashmë ka nisur të rindërtojë skuadrën dhe do të fokusohet më së shumti në mesfushë, e cila duhet të ndryshohet tërësisht në sezonin e ri.

Gjermani ka ende Fabinhon, Hendersonin, Stefan Bajceticin dhe Thiago, i cili gjithashtu është vazhdimisht i dëmtuar, por mediat angleze shkruajnë se ata nuk do të jenë lojtarë standardë të ekipit të parë.

Klopp tashmë e bleu Alexis Mac Allister nga Brighton për 40 milionë euro dhe ky transferim mund të rritet në 60 milionë me bonuse. Por ky është vetëm fillimi, pasi Liverpooli është në kërkim të dy mesfushorëve të tjerë dhe ka dy dëshira të mëdha.

I pari është Khephren Thuram, mesfushori 22-vjeçar nga Nice, i cili thuhet se tashmë ka rënë dakord për gjithçka me Liverpoolin dhe që duhet t’i paguajë rreth 50 milionë euro.

Thuram ka luajtur tashmë 138 ndeshje për ekipin e parë të Nices dhe ka shënuar tetë gola me 11 asistime. Ai është një mesfushor tipik si Klopp e do, motorik në të dyja drejtimet dhe mediat angleze shkruajnë se ai është prioritet në Anfield.

Në të njëjtën kohë po punohet edhe për transferimin e Manu Kone nga Borussia Monchengladbach. Bëhet fjalë për një lojtar të ngjashëm me Thuramin që do të kushtonte rreth 40 milionë euro. Ai luan për kombëtaren franceze U-21, dëshiron të largohet dhe Liverpooli është destinacioni më real.

Në Anfield, ata kanë disa emra të tjerë në rezervë nëse këto transferime dështojnë. Ata janë Ryan Gravenberch nga Bayern Munich, Gabri Veiga nga Celta Vifo dhe Romeo Lavia nga Southampton.

Sa i përket sulmit, nuk do të ketë shumë ndryshime. Luis Diaz humbi gjysmën e sezonit të kaluar për shkak të lëndimit dhe pritet shumë prej tij sezonin e ardhshëm.

Mohamed Salah do të qëndrojë në Anfield edhe për të paktën një sezon, dhe opsioni i parë sulmues është Cody Gakpo.

Është edhe Darwin Nunez si zëvendësues i parë i Gakpos, ndërsa minutat do të llogarisë edhe Diogo Jota, ndaj nuk do të ketë probleme në atë pjesë të ekipit. /Telegrafi/

Exit mobile version