Zgjidhje për marrëveshjen e Demarkacionit në mes pozitës dhe opozitës nuk ka, pavarësisht mesazhit të qartë të Përfaqësueses së BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini.
Kështu vlerësojnë analistët, ndërsa zyrtarë të qeverisë thonë se Projektligji për Demarkacionin është gati.
Këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Projektligji për Demarkacionin është gati, por varet nga partneret e koalicionit se kur do ta dërgojnë atë në Kuvendin e Republikës së Kosovës
Sipas tij, partnerët e koalicionit duhet vetëm të sigurojnë votat për të dërguar këtë projektligj për ratifikim në Kuvend.
Ndërkaq, edhe pas takimit me Përfaqësuesen e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, opozita nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket ratifikimit të projektligjit të Demarkacionit.
Ata janë shprehur sërish kundër miratimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, pasi sipas tyre është i dëmshëm për vendin.
Ndërsa njohësi i kësaj fushe, Imer Mushkolaj ka thënë në një prononcim për Telegrafin se mesazhi i Mogherinit nuk do të ndikojë asgjë tek opozita, e as tek pushteti.
Sipas tij, nëse palët nuk kanë arritur të merren vesh tash e dy vjet, është absurde të pritet se do të gjejnë zgjidhje.
“Dy vjet janë humbur me inate dhe arrogancë, ndërkohë që në bashkëpunim me Malin e Zi, çështja ka mundur të zgjidhet. Me fajin e politikanëve tash vendi gjendet në një situatë të vështirë dhe qytetarët vuajnë papërgjegjësinë e atyre që i kanë votuar”, thotë Mushkolaj.
Ndryshe, Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, në publikimin e draft-raportit të parë rreth gjetjeve të Demarkacionit, ka konstatuar se Çakorri gjendet jashtë territorit të Kosovës, ndërsa kryetari i këtij Komisioni, Hivzi Islami, ka deklaruar se në bazë të raportit del se madhësia territoriale e Kosovës është 10 mijë e 906.25 kilometra katrorë.
Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, është bërë në Bruksel më 25 gusht të vitit 2015. /Telegrafi/