Site icon Telegrafi

Mes lotësh flet vëllai i Leotrimit: E humbëm një vëlla, por fituam shumë të tjerë

“Leotrimi më ka thirrë: ‘Oj nanë, kqyr se edhe unë kam diçka në bark, jam sëmut prej barku’. Me pa evladin s’kish ma shtir, me zorr t’rame”, ishin këto fjalët e nënës Shukrije Ahmeti nga Rezalla e Skenderajt. 

Ishte 11 shtatori i vitit 1998 (e premte) shtëpia e familjes Ahmeti sulmohet me granata nga forcat serbe, në të cilën sulm mbeti i vrarë shtatëvjeçari, Leotrim Ahmeti.

E në 25-vjetorin e çlirimit të Skenderajt, të martën, më 18 qershor 2024, vëllai i Leotrimit, Bahri Ahmeti pas përurimit të skulpturës e cila u vendos në sheshin e Skenderajt mes lotësh tha se është shumë i emocionuar, por edhe i lumtur pasi siç tha “Leotrimi na u kthye në qytet”.

Mes tjerash, ai u shpreh se Leotrimi simbolizon gjithë fëmijët e Kosovës që kanë rënë për lirinë e Kosovës.

“Ai tash nuk është i vdekur, ai është në mesin tonë. Na jemi si familje shumë të lumtur. Sinqerisht, se kemi pritë që del dikush edhe në një aspekt e ‘ngjallë’, vëllanë tonë. Shumë kemi pas emocione dhe jemi befasu kur dikush e ka punu edhe e ka rregullu”, tha ai.

Lexo po ashtu Në Skenderaj përurohet skulptura e Leutrim Ahmetit, 7-vjeçarit që ishte vrarë gjatë luftës nga serbët

Ahmeti thotë se dita kur Leotrimi nuk iu mbijetoi plagëve ishte më e tmerrshmja në jetën e tyre.

Momenti i përurimit të skulpturës së, Leotrim Ahmeti në Skenderaj /Foto: Ridvan Slivova/

“Faktikisht e kemi humbur një vëlla po kemi fitu shumë vëllezër e motra me përkrahjen e tyre në mbarë popullin shqiptarë. Unë sot jam shumë i lumtur se kam shumë vëllezër e motra në krejt vise shqiptare”, tha ndër të tjera vëllai i Leotrimit, Bahri Ahmeti.

Ndryshe, në Skenderaj të martën u zbulua skulptura e Leotrim Ahmetit, shtatëvjeçarit i cili ishte vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Skulptura është punuar nga Sabri Behramaj. Vendosja e kësaj skulpture u bë pikërisht në ditën kur qyteti i Skenderajt shënon Ditën e Çlirimit. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version