Site icon Telegrafi

Mertens shkruan historinë me Napolin

Dries Mertens (Foto: Francesco Pecoraro/Getty Images/Guliver)

Dries Mertens ka shkruar historinë me Napolin, pasi që me golin e shënuar ndaj Interit e kaloi rekordin e Marek Hamsik si golashënuesi më i mirë në histori të klubit.

Ishte një mënyrë e bukur për 33-vjeçarin që ta festonte vazhdimin e kontratës në Stadio San Paolo që pritet të zyrtarizohet së shpejti.

Futbollisti belg e kishte barazuar Hamsikun me 121 gola me fanellën e Partenopei, para se të suspendohej futbolli në muajin mars.

Mirëpo, në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Italisë që u zhvillua në San Paolo, ai e shënoi golin e 122-të në karrierë me Napolin, duke e barazuar rezultatin në sfidën ndaj Interit që kishte kaluar në epërsi.

Në karrierën e tij me klubin italian (ku luan nga viti 2013), Mertens ka zhvilluar 310 ndeshje, i ka shënuar 122 gola dhe ka dhuruar 73 asistime.

Mesfushori Marek Hamsik gjatë karrierës së tij me napolitanët ka regjistruar 520 ndeshje zyrtare, gjatë të cilave i ka realizuar 121 gola, ndërsa nga viti 2019 luan në klubin kinez, Dalian Professional. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=dj3mJPGQncc

 

Exit mobile version