Site icon Telegrafi

Merr fund makthi i Fabio Quagliarellas, dënohet me burg njeriu që e kishte terrorizuar me vite të tëra

(Foto: Getty Images/Guliver)

Raffaele Piccolo, një 54 vjeçar i cili e kishte përndjekur dhe terrorizuar për vite të tëra Fabio Quagliarellan, është dënuar me katër vjet e gjysmë burg.

Ai ishte shfaqur si polic në periudhën 2006-2010 dhe thoshte se është duke i ndihmuar futbollistit dhe zyrtarëve të tjerë në qytet që ta shpëtonin nga përndjekësi i tij.

Asokohe Quagliarella pranonte letra anonime ku akuzohej se ishte pjesë e nëntokës kriminale, ashtu që e bëri qëndrimin e tij te njëvjeçar te Napoli (ku fillimisht kishte nënshkruar kontratë pesëvjeçare) një tmerr të vërtetë. Më vonë u mësua se ishte pikërisht Piccolo, një ish-inspektor poste, ai që i dërgonte letrat.

Policia italiane (Fotoilustrim: Dan Kitwood/Getty Images/Guliver)

54-vjeçari ishte maskuar si polic në mënyrë që të integrohej dhe të qëndronte pranë viktimave të tij, duke përfshirë edhe Quagliarellan. Kishte qenë babai i lojtarit, ai që kishte zbuluar se rrënja e problemit ishte Piccolo. Kështu, policët e arrestuan atë në qytetin e lindjes së futbollistit, Castellammare di Stabia, në afërsi të shtëpisë së tij.

Lexo po ashtu Rrëfimi për film i Fabio Quagliarellas – Polici që ia montoi akuzat më të frikshme nga pedofilia deri te lidhje me mafinë (Foto)

Tash, katër vite më vonë, më në fund, 54-vjeçari është dënuar me burg prej katër vjet e gjysmë. Një tjetër viktimë që është terrorizuar nga ai ka qenë edhe një pronar i një klubi të njohur nate në Napoli.

(Fotoilustrim: Oli Scarff/Getty Images/Guliver)

Tortura pesëvjeçare

Para dy vitesh, Quagliarella ka folur për vitin e tmerrshëm që e kaloi në Napoli duke thënë me emocione: “Gjithmonë e kam imagjinuar veten si kapiten të Napolit duke fituar diçka me atë klub, sepse po bëhej një skuadër aq e mirë sa është tash – një skuadër e shkëlqyer. Po të mos kishin ndodhur këto, jam i sigurt se akoma do të isha duke luajtur atje”.

Ai ka rrëfyer edhe mënyrën se si kishte filluar gjithçka, pasi i besonte Piccolos për shkak të rolit të tij si polic, ndërsa e kishte bërë të vuajë për pesë vite.

Fabio Quagliarella (Foto: Francesco Pecoraro/Getty Images/Guliver)

“Nuk e di se çfarë kishte në mendjen e tij, sepse ishte një polic dhe për shkak të kësaj në fillim e konsideroja si dikush që mund t’i besoja. E nisa me një problem që kisha me një fjalëkalim dhe ai e rregulloi”.

“Pastaj fillova të merrja letra anonime me fotografi të femrave të zhveshura, ku akuzohesha për pedofili, se punoja me Camorran (mafinë), se shisja drogë, se i montoja ndeshjet”.

“Babai im merrte mesazhe kërcënuese. Aty i thuhej se dikush do të më vriste me plumb në kokë ose do të më vinin bombë në shtëpi”, ka rrëfyer Quagliarella, të cilit i kishte shkuar në shtëpi edhe një arkivol me fotografinë e tij mbi të.

Ndërsa për të gjitha këto, futbollisti dhe familja e tij i kërkoni ndihmë pikërisht Piccolos – duke mos e ditur se ai qëndronte pas gjithë kësaj. Fabio ka rrëfyer se kërcënimet kishin filluar të bëheshin të frikshme, ashtu që ai dhe familja e tij ishin në panik të vazhdueshëm.

(Fotoilustrim: Fabrizio Corradetti-Pool/Getty Images/Guliver)

“Nuk mund ta imagjinonin tensionin edhe kur ishim në shtëpi. Përndjekësi, duke qenë një polic, ishte rregullisht në shtëpinë time dhe po e udhëhiqte gjithë situatën… Na thoshte se ishin afër për ta kapur”.

“S’mund t’i tregoja askujt, madje as vëllezërve të mi. Pastaj, miku im më i mirë u thirr nga autoritetet për lidhjet e montuara me Camorran. Në fund, babai im e kuptoi të gjithën. Ai mësoi se autoritetet asnjëherë nuk e kishin pranuar ankesën time formale, sepse përndjekësi po e mbante për vete”, ka treguar 36-vjeçari.

Quagliarella u detyrua të largohej nga Napoli pas vetëm një sezoni, edhe pse kishte nënshkruar kontratë pesëvjeçare. Iu bashkua Juventusit, ku qëndroi për katër vite dhe e fitoi tri herë titullin e kampionit në Itali. Aktualisht, ai luan te Sampdoria. /Telegrafi/

Exit mobile version