Telegrafi

Merr fund “kriza humanitare” serbe, nesër rihapen dyqanet në veri të Kosovës

Në një takim të biznesmenëve serbë të  veriut të Kosovës, sonte është vendosur që të mërkurën të rihapen të gjitha dyqanet, restorantet dhe barnatoret në katër komunat veriore, të cilat ishin mbyllur dy ditët e fundit.

“Protesta e paralajmërimit tregoi forcën, rolin dhe gatishmërinë për betejë të serbëve të veriut të Kosovës. Kemi treguar forcë dhe unitet, se ata nuk mund të na thyejnë dhe nuk do të durojmë që të qëllohet dhe sulmohet mbi ata që kryejnë furnizimin me ushqime”, përcjell KoSSev njoftimin e Shoqatës së Biznesmenëve nga veriu i Kosovës, transmeton Telegrafi.

Më tej në komunikatë thuhet se “çdo përpjekje e mëtejshme e Prishtinës do të hasë në përgjigje edhe më të fortë”.

“Meqenëse kjo ishte një protestë paralajmërimi, dyqanet në veri, të cilat nga nesër do të punojnë, do të jenë të mbyllura për një kohë shumë më të gjatë atëherë kur sërish do të qëllojnë për shkak se transportojmë qumësht, miell, vaj ose gazeta në gjuhën serbe për popullin serb në veri të Kosovës. Jemi të vetëdijshëm se na pret një betejë e gjatë, e cila kërkon unitet, përpjekje, e ndoshta edhe sakrificë… Ne nuk e kemi tokë tjetër dhe këtë tonën nuk ia japim askujt”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që “përfundimisht ta kuptojë dramën e situatës në veri dhe të reagojë që ta paqësojë Prishtinën para se të ndodh ndonjë incident, i cili mund t’i çojë gjërat në një pikë pa kthim”. /Telegrafi/