Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se duhet të pyesim veten se ku do të përfundojë Evropa pas krizës.
Në samitin digjital të qeverisë gjermane, ajo tha se Kina dhe Koreja e Jugut aktualisht po përjetojnë përsëri një rritje ekonomike. Njerëzit atje të gjithë mbajnë maska dhe nuk ka demonstrata të jo-konformistëve, theksoi Merkel.
Gjermania nuk mund dhe nuk dëshiron të përdorë të njëjtat mjete për të luftuar virusin si Kina me sistemin e saj të kontrollit. Sidoqoftë, duhet bërë një përpjekje për të qenë në gjendje të vazhdojmë teknologjikisht.
Ritmi i ngadaltë në ndryshimin digjital është një problem i madh, tha ajo. Merkeli shpjegoi se urgjenca ende nuk njihet sa duhet në shumë fusha. Kjo çon në atë, që në një moment Gjermania thjesht të jetë e fundit që ecën në radhë.
Angela Merkel kërkoi më tej që të gjitha vlerat tona të zbatohen edhe në botën digjitale. Mbi të gjitha, në botën e punës, shëndetit dhe etikës, theksoi ajo.
“Humanizmi i shoqërisë sonë vetëkuptohet që duhet të mbetet edhe në botën digjitale,” tha kancelarja në Dortmund.
Në të ardhmen, të dhënat do të jenë sa produkt ekonomik, aq edhe vlerë e shoqërisë. Merkeli paralajmëroi që në ruajtjen dhe shkëmbimin e të dhënave kaq të ndjeshme të mos bëhemi të varur nga korporatat e mëdha. Përkundrazi, ajo tha se qasja duhet të jetë që “Evropa mund të bëjë gjithçka, duke përfshirë zhvillimin me sukses dhe funksionimin e strukturës së saj të të dhënave”.
Republika Federale e Gjermanisë duhet të ketë sukses në garantimin e sovranitetit të saj të të dhënave, dhe kjo përfshin infrastrukturën e saj të të dhënave, u tha në samit.
Me këtë rast aty u paraqit projekti Gaia-X – është një infrastrukturë e të dhënave në rrjet, d.m.th. një e ashtuquajtur re e të dhënave, në një nivel evropian. Përfaqësuesi i Ministrisë Federale të Ekonomisë për Ekonominë Digjitale, Thomas Jarzombek, tha se përparësia e këtij projekti është ndërveprimi i tij. Gaia-X është konceptuar si alternativë ndaj ofruesve amerikanë dhe kinezë. /DW/