Site icon Telegrafi

Merkel i thotë Vuçiqit se dëshiron të ruhet paqja dhe stabiliteti në Ballkan

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka zhvilluar sot paradite në Paris një takim me kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilën e ka informuar me rrjedhën e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për  vendosjen e taksës prej 10 për qind për mallrat që futen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiq në takim me kancelaren gjermane, duke ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin e Kosovës për vendosjen e taksës për mallrat që hyjnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ka theksuar se “nuk e kupton kur dikush në mënyrë të papërgjegjshme shkel marrëveshjet e arritura, duke minuar kështu bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal”, përcjell Telegrafi.

Mediat serbe nuk kanë cituar burime zyrtare nga takimi, por “Blici” serb, duke u thirrur në burime brenda takimit, shkruan se kancelarja Merkel ka thënë se ajo dëshiron të ndihmojë që në rajonin e Ballkanit Perëndimor të ruhet paqja dhe stabiliteti.

Lexo po ashtu Gjuriq pret që Merkel në takim me Vuçiqin ta zbutë qëndrimin në lidhje me Kosovën

Pas takimit, presidenti serb nuk është prononcuar për media, por menjëherë ka shkuar në pallatin presidencial Elyse.

Vuçiç dhe Merkel u takuan në prag të ceremonisë në Paris, që shënon njëqindvjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kurse takimi zgjati rreth një orë. /Telegrafi/

Exit mobile version