Telegrafi

Merkel thotë se rritja e rasteve me COVID-19 në Gjermani është shqetësuese, kërkon që të vaksinohen

Kancelarja Angela Merkel tha të enjten se infeksionet e reja me coronavirus në Gjermani po rriten edhe një herë me një ritëm shqetësues.

Kështu, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ajo u bëri thirrje qytetarëve ngurrues për t’u vaksinuar dhe u kërkoi bashkatdhetarëve më entuziastë për vaksinim për të bindur të tjerët të bëjnë një gjë të tillë.

Shkalla e infektimit të Gjermanisë mbetet shumë e ulët krahasuar me disa vende të tjera evropiane.

Por ajo është rritur në mënyrë të vazhdueshme që kur arriti në 4.9 raste të reja javore për 100,000 banorë në 6 korrik.

Rritja thuhet se po “ushqehet” nga varianti më ngjitës Delta, i cili tani është mbizotërues. Të enjten, shkalla e infeksionit ishte 12.2.

Shifrat po rriten me “vrull shqetësues”, u tha Merkel gazetarëve në Berlin. “Ne kemi një rritje eksponenciale”.

Ajo gjithashtu u bëri thirrje gjermanëve që t’i përmbahen rregullave të distancimit dhe mbajtjes së maskave, por tha se “të gjithë e dimë çelësin për të kapërcyer pandeminë, mënyra e vetme, është vaksinimi”.

Ndryshe, pak më shumë se 60% e popullsisë gjermane kishte marrë një dozë të parë të vaksinës deri të enjten, ndërsa 48% ishin plotësisht të vaksinuar.

Por ritmi i vaksinimit është ngadalësuar në javët e fundit edhe kur rastet e reja po rriten. /Telegrafi/