Gjermania do të përcaktojë standardet e saj të sigurisë për rrjetin e ri celular 5G, deklaroi sot kancelarja Angela Merkel.
Ajo është përgjigjur pyetjes së një gazetari rreth paralajmërimeve të SHBA-së, se do të reduktojë shkëmbimin e të dhënave me Gjermaninë, nëse Berlini lejon pjesëmarrjen e kompanisë kineze Huawei në projekt.
“Siguria, sidomos kur bëhet fjalë për zgjerimin e rrjetit 5G, por edhe në përgjithësi në sferën digjitale, kjo është çështje shumë e rëndësishme për qeverinë gjermane, në mënyrë që ne vetë do të përcaktojmë standardet”, tha Merkel.
“Ne do të diskutojmë këto çështje edhe me partnerët tanë në Evropë, si dhe me autoritetet kompetente në SHBA”, shtoi ajo.
Ambasadori amerikan Richard Grenel javën e kaluar i dërgoi një letër ministrit gjerman të Ekonomisë Peter Altmajer në të cilën paralajmëron se SHBA-ja për arsye sigurie do të zvogëlojë shkëmbimin e informacionit me Gjermaninë, nëse Berlini lejon Huawai të marrë pjesë në zhvillimin e infrastrukturës kruciale ose të ndërtojë rrjetin 5G mobil.