Site icon Telegrafi

Merkel do të kandidojë edhe për një mandat të katërt?

Me gjithë mospajtimet si brenda CDU-së ashtu edhe brenda unionit për politikën e kancelares Merkel ndaj refugjatëve, konservatorët nuk kanë zgjidhje tjetër: Ata duan që Merkel t’i thotë po kandidaturës për herë të katërt.

“Kjo është dëshira e shumicës, që Angela Merkel të jetë kandidate edhe për një mandat të ri”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber për mediat gjermane, Funke Mediengruppe.

Ai po ashtu ka besim se Merkel do ta respektojë këtë dëshirë të partisë, përcjell albinfo.ch.

Edhe Manfred Weber, zëvendëskryetar i partisë kristiansociale, CSU, partia e unionit, shpesh në kurs konfrontues me Merkelin për shkak të politikës ndaj refugjatëve, është shprehur për revistën “Spiegel” se pret që Merkel të kandidojë edhe për një mandat të katërt. “Angela Merkel është kandidatja jonë”.

Politikani kristiansocial shprehet se “ai dëshiron që ky konfirmim të vijë sa më shpejt.

”Nëse Merkel kandidon edhe njëherë, ajo e ka mbështetjen e partisë simotër”, CSU, ka thënë Weber.

Vetë Merkel nuk ka deklaruar ende, nëse do të qëndrojë kryetare e partisë CDU, apo nëse do të rinkandidojë për mandatin e katërt. Sipas pikëpamjes së politikanit kristiandemokrat, Tauber, Merkel do të thotë fjalën e saj “në kohën e duhur”.

Exit mobile version