Telegrafi

Merkel për pak sa nuk shpërthen në lot gjatë fjalimit plotë emocione në Bundestag, lut qytetarët të respektojnë masat anti-COVID

Kancelarja gjermane Angela Merkel u ka bërë apel bashkëkombësve të saj që të reduktojnë takimet me miqtë dhe rrethin e gjerë të familjes gjatë festës së Krishtlindjes, duke theksuar se shkencëtarët po i lusin qytetarët që të respektojnë rekomandimet e ekspertëve shëndetësor.

Gjatë një paraqitje plotë emocione në Bundestagun gjerman, ajo për pak sa nuk shpërtheu në lot derisa luti gjermanët t’i respektojnë masat për luftimin e coronavirusit, transmeton Telegrafi.

“Numri i kontakteve është shumë i madh, reduktimi i tyre nuk është i mjaftueshëm. Më vjen keq e them me zemër, por nëse çmimi që po e paguajmë është 590 të vdekur në 24 orë, atëherë sipas meje është e papranueshme”, ka thënë me një dozë shqetësimi kancelarja gjermane.

Duke iu drejtuar deputetëve gjermanë, Merkeli tha se masat e kufizuese që janë vënë në fillim të nëntorit nuk kanë dhënë rezultate, duke marrë parasysh se numri i madh i rasteve të vdekjeve dhe pranimi i numrit të madh në repartet e kujdesit intensiv po vazhdon.

“Nëse kemi shumë kontakte për Krishtlindje dhe në fund kjo të jetë festa e fundit e Krishtlindjes me gjyshërit dhe gjyshet tona, atëherë jemi duke gabuar shumë. Nuk do të duhej të lejonim që diçka e tillë të ndodhë”, ka shtuar ajo.

Në Gjermani është regjistruar numri më i madh i rasteve të vdekjes me COVID-19 – 590 sipas të dhënave të Institutit Robert Koh. /Telegrafi/