Site icon Telegrafi

Merkel: Paqja në Ballkan, shumë e brishtë

Në Konventën Kombëtare të Katolikëve, që u mbajt në Mynster të Gjermanisë foli edhe kancelarja Angela Merkel.

Merkeli përcolli përshtypje nga takimet e fundit me liderët e Ballkanit Perëndimor e detyrat para vetes.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel tha se Ballkani Perëndimor mbetet një nga detyrat e Gjermanisë në politikën e jashtme. Merkeli u ndal te Ballkani të premten, në kuadër të diskutimeve në Konventën Kombëtare të Katolikëve, e cila zhvilloi punimet javën e kaluar në Mynster në landin e Rinit Verior-Vestfalisë.

“Tani, pas fundit të Luftës së Ftohtë ne kujtuam se koha e konflikteve të mëdha politike kishte kaluar. Por shumë shpejt mësuam se kjo nuk qëndron – në shembullin e luftërave në Ballkanin Perëndimor”, tha kancelarja gjermane.

“Ende sot (Ballkani Perëndimor) është një nga detyrat tona në politikën e jashtme – natyrisht duhet të negociosh më parë me ambientin përreth teje – unë kalova shumë kohë këtë javë me këtë temë – që të sigurohet rendi e paqja atje. Kjo është shumë e brishtë”.

Angela Merkel u ndal më tej në konfliktet kufitare dhe të natyrave të tjera, që vazhdojnë të kenë me njëra-tjetrën shumë shtete ballkanike.

“Edhe po ta hedhësh vështrimin te Kosova, te Serbia, te Bosnja dhe Hercegovina. Edhe po të shohësh mosmarrëveshjen për emrin në Maqedoni, konflikte kufitare këtu dhe atje, madje edhe Sllovenia dhe Kroacia vazhdojnë të flasin ende për kufijtë e tyre”.

Merkel u shpreh e vendosur se Gjermanisë dhe shteteve perëndimore i duhet të punojë për t’i zgjidhur këto konflikte.

“Na duhet t’i zgjidhim të gjitha këto, në mënyrë që të mos ekzistojë gjithmonë një tension i caktuar, që mund të rindizet në çdo kohë”, tha kancelarja e Gjermanisë. /dw/

Exit mobile version